Konjufca padit Milaim Zekën për shpifje – I kërkon 50 mijë euro dëmshpërblim

Shefi i Grupit Paralamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca e ka paditur Milaim Zekën për shpifje dhe fyerje.

Sipas padisë që e posedon Gazeta Insajderi, Zeka në emisionin “Dossier D”  të RTV Dukagjinit ka thënë se Konjucfa ka qenë i përfshirë në skandalin seksual në zyret e Vetëvendosjes dhe se për këtë ka video incizime.

“Mue nuk më fyen një njeri për të cilin sipas njerëzve ka dëshmi videoincizime për ato treshet e famshme në zyret e Vetëvendosjes që kanë bo abuzime seksuale”, ka thënë Zeka në emision.

Për këtë deklaratë Zeka është paditur nga Konjufca. Padia është dorëzuar sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, shkruan Insajderi.

“Pretendimet e të paditurit përmes kësaj interviste i përmbushin të gjitha elementet e veprës së shpifjes dhe fyerjes ndaj të paditurit, bazuar në faktin se deklarata nuk është e vërtetë dhe është tejet nëncmuese duke përfshirë edhe dëmtimin e rëndë të reputacionit të z.Glauk Konjufca. Përveç kësaj i padituri ka qenë në dijeni se deklarata e tillë është e pavërtetë dhe e pasaktë, por e ka bërë atë me qëllim të dëmtimit dhe zhvlerësimit të reputacionit si dhe cenimit të imazhit publik të paditësit”, thuhet në padi.

Në padi thuhet se Zeka në mënyrë flagrante ka shkelë ligji kundër Shpifjes dhe Fyerjes pasi me deklaratat e tij e ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë reputacionin e Konjufcës në raport me publikun.

Sipas kësaj padie Zeka ka keqpërdorur në mënyrën më të ulët lirinë e shprehjes me qëllim diskreditimit të deklaratave të Konjufcës gjatë diskutimit parlamentar ku ai theksoi përfshirjen në një rast gjyqësor për mashtrim për të cilin rast ekziston edhe një aktakuzë kundër të paditurit.

Konjufca ka kërkuar 50 mijë euro për kompensim të dëmit jomaterial për shpifje.

“Paditësi konsideron se për shkak të përjetimit të dhimbjes shpirtërore, denigrimit të personalitetit dhe cenimit të dinjitetit, lartësia e dëmit të shkaktuar jomaterial do të duhet të kompensohet në të holla në  detyrim të ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe për këtë i njëjti i propozon Gjykatës që konpenzimi të bëhet në emër të këtij dëmi dhe atë në shumë prej 50 mijë euro”, thuhet në padi.