Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kërkuar përfshirjen e plotë të Kosovës në projektet strategjike të ndërlidhjes rajonale, duke e cilësuar infrastrukturën si një element kyç jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Evropës.
Në Konferencën Ndërkombëtare për Korridorin VIII, të mbajtur në Sofje me organizim të Ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova-Chamova, Konjufca theksoi se një rajon i ndërlidhur është parakusht për një Ballkan Perëndimor më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
Ai vuri në pah rëndësinë strategjike të Linjës Hekurudhore 10 dhe projektit të planifikuar për hekurudhën Prishtinë–Durrës, duke argumentuar se këto investime do të mundësojnë diversifikimin e rrugëve të transportit dhe do të forcojnë lidhjet e Kosovës me rajonin dhe hapësirën euroatlantike.
Konjufca ngriti edhe një çështje të ndjeshme për sigurinë energjetike, duke akuzuar Serbinë për pengesa të vazhdueshme ndaj shkëmbimeve të energjisë elektrike me Republikën e Kosovës, edhe pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Komuniteti i Energjisë.
Ai kërkoi nga institucionet evropiane veprim të vendosur për zbatimin e detyrimeve ekzistuese, duke paralajmëruar se pengesat në sektorin energjetik nuk prekin vetëm Kosovën, por cenojnë sigurinë energjetike të gjithë rajonit.
Në fund të fjalimit, Konjufca dha një mesazh të qartë: Korridori VIII nuk duhet të mbetet vetëm një vijë në hartë. Sipas tij, një Ballkan Perëndimor i lidhur, i sigurt dhe i qëndrueshëm kërkon bashkëpunim pa pengesa dhe përfshirjen e plotë të Republikës së Kosovës në projektet strategjike evropiane.







