Konjufca: Në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Shqipërisë do të ketë marrëveshje konkrete

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim homologun e tij shqiptar, Gent Cakaj.

Pas takimit, në një konferencë për media, Konjufca ka thënë se raportet me Shqipërinë janë vëllazërore, dhe se sipas tij dy vendet kanë më shumë obligime ndaj njëra tjetrës, se sa obligime.

“Raportet janë vëllazërore, kështu që ne kemi obligime më shumë ndaj njëri tjetrit se sa falënderime. Konsideroj që është bërë një punë shumë e madhe, mirëpo hapësira për t’i thelluar raportet tona është gjithmonë e hapur. Marrëveshjet që janë arritur deri tash do të përpiqemi që t’i zbatojmë, sepse ka prej atyre që nuk janë zbatuar deri tash”, ka thënë Konjufca.

Tutje, Konjufca ka folur edhe për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e cila do të mbahet në Shkodër.

“Mbledhja e Qeverive e përbashkët që do të ndodhë në Shkodër ne do të jemi në koordinim maksimal me ministritë tonë, sepse do bëjmë gjithçka që është e mundur që të ketë marrëveshje konkrete që më pas t’i konkretizojmë. Raportet tona ekonomike e tregtare duhet të përmirësohen. Prej që është vendosur taksa, shkëmbimet sa i përket Shqipërisë drejt Kosovës janë rritur 300%, por kjo nuk ka ndodhur edhe anasjelltas, dhe kjo duhet të përmirësohet dhe duhet ta rregullojmë”, tha ai.

Konjufca po ashtu tha se ai mbështet nismën e Cakajt për bashkimin e partive shqiptare në Luginën e Preshevës që ato të garojnë me një listë të përbashkët zgjedhore.