Konjufca në fund të muajit do t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se së shpejti do të shkoj për vizitë në Hagë, ku janë duke u gjykuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shefi i kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli, ka bërë të ditur se Konjufca do të takohet me të gjithë ish-krerët e UÇK-së që gjenden në Hagë.

“Kryetari Konjufca së bashku me mua, si shef i kabinetit të tij, do të vizitojë të gjithë ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Kjo vizitë pritet të ndodh në fund të këtij muajit”, ka bërë të ditur Kërçeli.

Konjufca mbrëmë në RTK ka thënë se ish-krerët e UÇK-së që Gjykata Speciale po i gjykon për krime lufte, që nga fillimi e ka konsideruar të padrejtë.

Sipas tij, Specialja po përpiqet t’i mbajë të izoluar ish-luftëtarët.

“Tash jemi në një pozicion të vështirë si Kosovë në këtë gjykatë, sepse është vënë para Gjykate struktura kryesore e Shtabit të Përgjithshëm. Këtë gjykatë që nga fillimi e kam konsideruar si të padrejtë dhe kështu do ta quaj gjithmonë dhe derisa po veprohet kështu ndaj krerëve të UÇK-s nga Gjykata, nuk kam se si ta quaj ndryshe përpos si përpjekje për izolim të tyre”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit tha se ata mund të mbroheshin edhe në liri dhe këtë gjykim nuk e di si ta quan.