Konjufca i befasuar me ngritjen e aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit: Lidhet me zhvillimet politike

Glauk Konjufca në emisionin Desku në KTV ka thënë se nga aktakuza ndaj Thaçit e Veselit kishte dy momente që ishin të papritura për të.

Ai thotë se një aktakuzë e tillë ka dëmtuar shumë Kosovën, derisa thekson se kjo duket se paska qenë e lidhur krejtësisht me zhvillimet politike.

“Kjo e ka dëmtuar Kosovën për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka deponuar një aktakuzë ndaj presidentit dhe ndaj Veselit. Nga perspektiva e shtetësisë e dëmton interesin e shtetit tonë për shkak se Thaçi është president. Është dëmtuese. Ishte një deklaratë shtypi, që është diçka e pazakontë. Ajo ishte deponuar më 24 prill, pra ajo paska ndodhur para dy muajve dhe nuk ka pasur lajm. Kjo del se ka qenë e lidhur gjithçka me zhvillimet politike”, ka thënë Konjufca.

Për të janë dy çështje të papritshme nga kjo aktakuzë.

“Dy për mua ishin momentet jashtëzakonisht të papritshme e para që Prokuroria thotë se është e detyruar ta lëshojë këtë deklaratë për shkak të obstrukimeve të Thaçit dhe Veselit. Synon të thotë diçka më shumë se përpjekja për anulimin e Speciales gjatë 2016, sepse duket sikur, fjala që përdoret është në vazhdimësi, njëfarë lloj obstrukimi në vazhdimësi, dhe përdor fjalën sekrete. Dhe e dyta është se për çka ngritet kjo aktakuzë dhe aty njëra prej kategorive që përmendet është edhe çështja e kundërshtarëve politikë”, ka thënë Konjufca. “Vet mandati i Speciales dhe koha kur ajo e ka fushëveprimin e saj e ka deri në vitin 2000 dhe nënkuptohet sikur Zyra e Prokurorisë Speciale pretendon se ka gjetur diçka edhe në këtë drejtim. Përmenden krimet e luftës, krimet kundër njerëzit, torturat, zhdukja e dhunshme e njerëzve dhe e fundit kundërshtarët politikë”.

Ai thotë se një lajm i tillë është tronditës, derisa thekson se kjo është dëmtuese për çfarëdo procesi në Kosovë.

Tutje Konjufca i ka bërë një analizë se si ka ardhur deri te Gjykata Speciale, derisa ka thotë se janë të ndërlidhura Pako e Ahtisarit, letrat e Ban Ki Munit, Raporti i Dick Martyt, procesi i dialogut e Gjykata Speciale.

“Vetëvendosje e ka shpjeguar prej vitit 2011 kur kanë filluar negociatat me Serbinë që faktikisht dialogu me Serbinë dhe procesi i Gjykatës Speciale janë dy anë të së njëjtës medalje, këtë e kemi thënë vazhdimisht. Për shkak se e dini kur ka nis procesi i Speciales, është raporti i Dick Martyt, që kishte dalë sapo u përfunduar zgjedhjet e vitit 2010. Raporti i Dick Martyt, kjo lidhet me faktin se pas letrave të Ban Ki Munit, udhëheqës i Kombeve të Bashkuara para 12 viteve thoshte se me këtë Planin e Ahtisarit që kishte ardhur nga OKB”, ka thënë ai.

Tutje ai shton se zyra që e kishte ngarkuar Ahtisarin ka qenë zyre e OKB-së.

“Pastaj Ban Ki Mun del me letrat e tij dhe thotë se Kosova e ka implementuar Planin e Ahtisarit, por Serbia nuk po e pranon dhe për këtë ka nevojë që të fillojë një proces i ri negociator i cili do të arrinte te një marrëveshje tjetër se si me i akomoduar jetesën e qytetarëve të etnisë serbe brenda Kosovës. Kështu është esenca pak a shumë e letrave të tij”, ka thënë Konjufca.