Takim

Konjufca e takon deputetin gjerman, e falënderon për “qëndrimet parimore”

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e priti sot në takim deputetin gjerman, Michael Roth, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman.

Kuvendi njoftoi se gjatë takimit “u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe rajon, proceset integruese, mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave parlamentare, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët”. 

“Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje deputetit Roth për angazhimin dhe qëndrimet e tij parimore karshi zhvillimeve aktuale në rajonin tonë, si dhe për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i jep Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit e të integrimit në institucionet euro-atlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

Duke i vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe, Konjufca, siç njofton Kuvendi, “theksoi se Gjermania mike është aleat strategjik dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës”. Njëkohësisht ai ka shprehur gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe e vlerësoi shumë të rëndësishme përkrahjen e Gjermanisë kundrejt proceseve të cilat i ka përpara shteti ynë. 

“Ndërsa deputeti dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke rikonfirmuar mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Roth ishte në mesin e politikanëve që së fundmi nënshkruan një letër dërguar përfaqësuesve më të lartë diplomatik të Perëndimit, duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare qasje më balancuese në raport me Kosovën dhe Serbinë.