Lufta kundër përhapjes së pandemisë COVID-19 ka unifikuar dhe rritur bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, së paku në këtë letër. Në të njëjtin dokument, nënshkrimet i kanë vënë ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe ai i Serbisë, Ivica Daciq, i njohur për fushatën e tij kundër shtetësisë të Kosovës.
Madje në dokument përmendet bashkëpunimi ndër rajonal në luftimin e pandemisë. Letra e përbashkët, këtë herë ka pasur për qëllim lobimin te Bashkimi Evropian për lehtësimin e procedurave për tregti. Komisioni Evropian (KE) i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, për heqjen e disa kufizimeve që aplikohen në raport me vendet jo anëtare, për pajisjet që kanë të bëjnë në luftën kundër pandemisë COVID-19, raporton KOHA.
Nëpërmjet një letre dërguar zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, gjashtë ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit kanë kërkuar të mos aplikohen disa masa për transportin e mallrave. Aty përmendet edhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve të rajonit në luftimin e pandemisë.
Në emër të Kosovës, mbi këtë dokument firmën e ka vënë ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Shtetet e tjera nënshkruese janë: Shqipëria, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi.
“Në përpjekjen tonë për të rritur prodhimin e pajisjeve mjekësore mbrojtëse, marrëveshja midis Komisionit Evropian dhe Organizatave Evropiane të Standardizimit më 20 mars 2020 ishte e dobishme, ku të gjitha standardet përkatëse të harmonizuara evropiane u vunë lirshëm në dispozicion të të gjitha kompanive të interesuara. Kompanitë tona janë duke punuar shumë dhe kemi parë rezultatet e para. Megjithëkëtë, ndërsa ne përpiqemi t’i blejmë pajisjet mbrojtëse, vendimi i Komisionit Evropian për ta bërë eksportin e këtyre mallrave subjekt të autorizimeve të eksportit, e ka vështirësuar detyrën tonë”.
Edhe pse është propozuar nga Komisioni i Europian që të hiqen këto kufizime edhe për Ballkanin Perëndimor e cila do të hyjë në fuqi nga 26 prilli.
Kufizimet e tanishme të BE’së zbatohen për pajisje si syze strehë ballore, mbrojtëse të fytyrës, rroba mbrojtëse, doreza si maska të gojës dhe hundës. Këto produkte mund të eksportohen tek një shtet jo anëtar i BE’së me autorizim të aprovuar nga shtete individuale të BE’së. Këto kufizime ishin caktuar të vazhdojnë që nga 15 marsi deri në 25 prill.







