Keith Self, kongresisti amerikan nga radhët e republikanëve, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, pas takimit që zhvilloi në kuadër të samitit të NATO-s në Uashington me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se aleanca e ndërtuar ndër vite midis Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe “aleatit tonë ballkanik” është më e fortë se kurrë.
“Mirënjohës për mundësinë që ta takoj presidenten Osmani në samitin e NATO-s. Aleanca SHBA-Kosovë mbetet e fortë si kurrë më parë dhe unë jam krenar që qëndroj përkrah aleatit tonë ballkanik”, ka shkruar Self.
E presidentja Osmani ka deklaruar të mërkurën pas takimeve në SHBA se senatorë e kongresistë amerikanë të të dyja partive i bënë jehonë aspiratave të Kosovës në kohët më të vështira: “Ata ishin zëri i popullit të Kosovës”.
Presidentja e Kosovës, me ftesë të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, ndodhet në Uashington në kuadër të samitit historik të NATO-s, ditëlindja e 75-të e aleancës, ku pritet të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera.







