LAJMI I FUNDIT

Konflikt mes dy kosovarëve në Shëngjin, policia jep detaje

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se një kosovar, 59-vjeç, është plagosur me thikë në Shëngjin.

Në njoftimin e policisë thuhet se autori që ka kryer veprën është po ashtu kosovar i moshës 66-vjeçare.

Bëhet e ditur se mes dy personave ka pasur konflikt të çastit, dhe se i plagosuri është dërguar në Spitalin e Lezhës për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar.

Njoftimi i plotë:

Shëngjin/Plagosi me thikë një 59-vjeçar pas një konflikti të çastit, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Rreth orës 21:00, në Shëngjin, pas një konflikti të çastit, shtetasi kosovar H. B. 66 vjeç, ka plagosur me thikë shtetasin S. B. 59 vjeç, banues po në Kosovë.

I dëmtuari është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë, për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

Falë veprimeve të shpejta hetimore operacionale, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 66-vjeçarit, si autor i dyshuar si dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i armës së ftohtë ( thikës) e dyshuar e përdorur nga autori.

Vijojnë veprimet hetimore nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.