Konfirmohet: Vaksinat e para kundër koronavirusit arrijnë në Kosovë gjatë këtij muaji

Vaksinat e para antiCOVID-19, zyrtarisht do të arrijnë në Kosovë në mes të muajit shkurt.

Por sipas Ministrisë së Shëndetësisë ka mundësi që një sasi e caktuar e vaksinave të arrijë edhe më herët.

Këtë për Gazetën inFokus e kanë konfirmuar nga zyra për informim e MSh-së sipas të cilëve 360 mijë vaksina për fillim do të merren falas.

“360 000 vaksina anti COVID-19 për fillim do te merren falas nga mekanizimi COVAX. Sasi te tjera, sipas nevojës do te blihen nga ky mekanizëm apo edhe prodhuesit drejtpërdrejtë. Vaksinat e para pritet te arrijnë ne mes te muajit shkurt, por ka gjasa qe sasi te caktuara të arrijnë edhe më herët, të siguruara përmes rrugëve të tjera”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Po ashtu sipas tyre ka edhe negociata me mekanizma dhe institucione tjera për vaksina të tjera.

Mirëpo përveç vaksinave që do të vijnë si donacion qeveria në buxhetin për vitin 2021 ka paraparë edhe 40 milionë euro për të blerë vaksina dhe për nevoja të tjera për COVID-19.

“Kosova, ka siguruar buxhet prej 40 milionë eurove (ne kuadër te buxhetit 2021) për vaksinat qe do t’i blejë vet dhe nevojat për COVID-19, kështu që çdo vaksine qe do t’u jepet qytetareve të Kosovës, do te jetë falas.”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Nga COVID-19 në Kosovë kanë humbur jetën 1 mijë e 351 persona.

Ndërsa deri më tani nga virusi COVID-19, janë prekur, 52 mijë e 134 qytetarë, e raste aktualisht aktive janë edhe 7 mijë e 835.