Konfirmohet se dëshmorit Sejdi Krelani nuk i është ndërruar varri

Varri i dëshmorit Sejdi Krelani nga Drenasi nuk është ndërruar, pas dyshimeve të ngritura kohë më parë nga një pjesë e mediave për ndërrimin e pllakës së heroit.

Kjo është konfirmuar sot zyrtarisht në praninë e familjes Krelani, kryetarit të Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, udhëheqësit të Njësisë së Komisionit, si dhe në praninë e kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari, pas hapjes së varrit dhe verifikimit se të dhënat në arkivol janë po ato që janë të skalitura në epitafin e varrit të heroit Sejdi Krelani.

Me këtë rast, kryetari Jashari ka shprehur mirënjohjen dhe respektin më të madh për të gjitha familjet e heronjve dhe dëshmorëve, për bashkëpunimin dhe përkrahjen gjatë këtij procesi aq të ndejshëm.

Ai ka falënderuar të gjitha institucionet e angazhuara në këtë proces, në veçanti gjatë këtyre tri ditëve në adresim të shqetësimeve të familjes Krelani.

Ndryshe, kohë më parë disa media kishin raportuar rreth dyshimeve rreth ndërrimit të pllakës së varrit të heroit Sejdi Krelani, i cili nga 19 shtatorit prehet në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë.