Brenda 24 ore janë regjistruar 1 mijë e 226 raste të reja me koronavirus në Gjermani, kjo është shifra më e lartë e regjistruar brenda ditës në më shumë se tre muaj.

Ministri i Shëndetësisë paralajmëroi për përhapje të virusit në gati të gjitha pjesët e vendit për shkak të personave që po kthehen nga pushimet.

Sipas të dhënave të Institutit për Sëmundje Ngjitëse “Robert Koch”, shifra e përgjithshme ka shkuar në 218 mijë e 519.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe gjashtë viktima të reja dhe numri i përgjithshëm i rasteve fatale shkoi në 9 mijë e 207.

“Pa dyshim, kjo është shumë shqetësuese, sepse tash kemi shumë përhapje në mbarë vendin. Po shohim se për shkak të kthimit të personave nga pushimet, por edhe për shkak të të gjitha llojeve të tubimeve dhe ndejave familjare. Tash kemi vatra të vogla dhe të mëdha të përhapjes në shumë rajone, pothuajse në të gjitha pjesët e vendit”, tha ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.