Konfirmohet nga avokati: Albright do të dëshmonte pro Thaçit në Speciale po të ishte gjallë

Vonesa në nisjen e gjykimit dhe dhënien e materialeve po paraqet problematikën kryesore të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me drejtësinë në Hagë.

Këto vonesa po shkaktojnë pasiguri tek mbrojtja lidhur me aspektin e dëshmisë së dëshmitarëve të tyre që tanimë janë në moshë, dhe në një moment të caktuar kur të nevojitet prezenca e tyre, po ngritet shqetësimi ata mund të mos jenë më gjallë, shkruan lajmi.net.

Një fakt të tillë e ka potencuar edhe avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe, i cili ka përmendur disa emra që do të mund të kishin dëshmuar pro Thaçit në Hagë, e që tanimë nuk jetojnë.

Në mesin e tyre është edhe ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madelein Albright, pastaj ish-ambasadori Richard Holbrook si dhe ish-senatori Robert Dole.

Të tre këto personazhe, sipas Keohes, do të dëshmonin po të ishin gjallë, dhe do të kishin shumë gjëra pozitive për të thënë për Thaçin.

“Ne synojmë të eksplorojmë procedurat e Rregullës 98. Natyrisht, kjo ishte 24 vjet më parë. Ne qëndrojmë këtu sot në tre dëshmitarë të paktën që do të kishin dëshmuar shumë pozitivisht 1për klientin tim, Sekretarja Albright, sekretare e Shteteve të Bashkuara, Ambasadori Holbrooke, Senatori Robert Dole, të paktën ata të tre kishin thënë gjëra shumë pozitive për klientit im dhe do të kishin dëshmuar po të kishin mundësi. Sigurisht, ata tre tani janë të vdekur. Dhe propozimi ynë, i nderuari, është nëntë dëshmitarë të moshuar, nga fundi i viteve 70 dhe, sinqerisht, fundi i viteve 80, dhe në 25 shkallë të ndryshme shëndetësore, ata janë dëshmitarë kritikë, ata janë dëshmitarë ndërkombëtarë që ishin të pranishëm në terren, dhe ajo që ne 2 avansojmë është, sigurisht që mund t’ia jap listën tuaj deri më 7 tetor, besoj, ju e përcaktoni”, ka thënë avokati amerikan i Thaçit.

E në lidhje me këtë çështje, avokati i Thaçit ka propozuar një zgjidhje.

Sipas tij, presidentja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, duhet të caktojë një gjyqtar para nisjes së gjykimit, e cila do të dëgjonte dëshmitarët e mbrojtjes që janë në gjendje kritike, apo siç i quan Keohe “dëshmitarë kritike”.

Sipas Keohes, formati i kësaj procedure para nisjes së gjyqit mund të jetë një dëshmitar me një gjykatës.

Avokati amerikan thotë se kjo do t’i kursejë kohë edhe procedurës së mëtejshme të gjyqit.

Ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentari Veseli, ish-deputeti Rexhep Selimi si dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, më vonë kryeparlamentar, Jakup Krasniqi, po qëndrojnë në paraburgim tash e gati dy vite.

Gjyqtari paraprak, panelet e Apelit mirëpo edhe panele tjera të Supremes kanë refuzuar çdo kërkesë të tyre për mbrojtje në liri.