Konfirmohet lideri i ri i ISIS-it

Zyrtarët e dy shërbimeve të inteligjencës kanë konfirmuar se lider i ri i grupit të ashtuquajtur Shtet Islamik është caktuar Amir Mohammed Abdul Rahman al-Mawli al-Salbi.

Ai ka qenë anëtar i grupit terrorist prej themelimit të tij. Besohet se ky person e ka udhëhequr skllavërimin e pakicës Yazidi në Irak dhe ka organizuar operacione në pjesë të ndryshme të botës.

Gazeta “The Guardian” ka marrë vesh se Salbi është emëruar lider i ISIS-it vetëm disa orë pas vrasjes së ish-udhëheqësit Abu Bakr al-Baghdadi në tetor të vitit të kaluar. Emri i publikuar nga vetë grupi në atë kohë, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Quraishi, ishte një nofkë e panjohur nga liderët e tjerë apo nga shërbimet e inteligjencës.

Spiunët perëndimorë dhe rajonalë kanë arritur të sigurojnë të dhëna që tregojnë se Salbi është në qendër të vendimmarrjes në strukturën udhëheqëse të ISIS-it. Besohet se ai është njëri prej ideologëve me ndikimin më të madh në grupin famëkeq.

Salbi është i njohur në rrethin e tij edhe me nofkën Haxhi Abdullahu dhe në disa raste si Abdullah Qardash, ndonëse zyrtarët irakianë thonë se Qardashi ishte një figurë tjetër e ISIS-it, që ka vdekur para dy vjetëve.

Udhëheqësi i ri i ISIS-it është i diplomuar në Universitetin e Mosulit për ligjin e sheriatit. Ai ishte arrestuar një herë në vitin 2004 nga forcat amerikane, ndërsa në burg ishte takuar me ish-liderin e vrarë të ISIS-it. Besohet se ai e ka një djalë, shkruan “The Guardian”.