Konferencë e jashtëzakonshme e Gjuriqit: Jemi të gatshëm për dialog kur të hiqet taksa

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq e ka mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme për media me rastin e komunikatës së vendeve të Kuintit ku Kosovës i kërkohet heqja e taksës ndaj Serbisë.

“Serbia do të vazhdojë edhe më tej që t’i mbroj interesat e veta”, ka thënë Gjuriq, transmeton Ballkani.info.

Ai ka theksuar se nuk mund të vendosen në të njëjtën linjë ata që e shkelin marrëveshjen e CEFTA-s dhe ata që mbrohen nga anëtarësimi i kundërligjshëm “i territorit të tyre në organizatat ndërkombëtare”.

“Nuk është e njëjtë sikur dikush mbrohet nga anëtarësimi i kundërligjshëm në organizatat ndërkombëtare dhe kur dikush shkelë marrëveshjen e CEFTA-s dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, ka thënë ai.

“Dialogu mund të vazhdojë, por nga njoftimi i vendeve të Kuintit po tentohet të barazohet shkelja e marrëveshjeve nga Prishtina. Në njërën anë e keni shkeljen e marrëveshjes së CEFTA-s, derisa në anën tjetër Serbia kritikohet që po tenton ndalimin e njohjeve të Kosovës. Nuk është Serbia ajo që ka iniciuar sërish anëtarësimin në Interpol, UNESCO, të gjitha këto i kanë bërë dhe po i bëjnë institucionet e Prishtinës me sjelljen e tyre agresive, gjë që e shtyjnë Serbinë të mbrohet dhe në këtë është e suksesshme”, ka thënë Marko Gjuriq. /Ballkani.info/

loading…