Komunat veriore pa kryetarë, dorëheqjet e kryetarëve serbë janë të pakthyeshme

Komunat veriore kanë mbetur pa kryetar tash e 11 ditë, por Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal ende nuk ka marrë vendim nëse do të pranohen dorëheqjet dhe të shpallen zgjedhjet e reja në ato komuna.

Nga kryeministria ditë më parë ishte thënë se ende nuk janë bërë dorëheqjet zyrtare, pasi disa nga kryetarët e komunave në dokumentet e dorëheqjes, Kosovës iu kishin referuar si “Kosova e Metohija”, e si të tilla nuk mund të pranoheshin.

Por ligji e parasheh si të parevokueshme dorëheqjen e kryetarëve.

Siç ka raportuar Ballkani.info, ligji e parasheh dorëheqjen e kryetarëve të komunave si vendimtare dhe të pakthyeshme, andaj edhe pritet shpallja e zgjedhjeve të reja në këto komuna.

Bllokimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve gjithashtu paraqet një problem tjetër tash e disa ditë. KQZ janë në pritje të mandatit të ri nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërsa në komunat ku kryetarët serbë kanë dhënë dorëheqje, kanë kaluar 11 ditë qëkur këto komuna janë në pritje të shpalljes së zgjedhjeve të reja.

Zyrtarët nga kjo Ministri kanë thënë se Zyra Ligjore është duke i vlerësuar dorëheqjet. /Ballkani.info/