Komunat veriore

Komunat në veri të Kosovës bëhen me zyra kadastrale

Ministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, njoftoi se nga fillimi i javës së ardhshme, do të jetë e mundur të merren shërbimet kadastrale në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Këto shërbime do të administrohen përmes Zyrave Kadastrale Komunale të reja që janë themeluar në secilën prej këtyre komunave.

Në një njoftim në Facebook, ministri Aliu ka treguar se ka bërë një vizitë bashkë me ekipin e tij në këto komuna, ku është diskutuar për lansimin e funksionalizimit të këtyre shërbimeve.

“Qytetarët e komunave në veri nuk do kenë më nevojë që të vijnë tek sportelet e Agjencionit Kadastral të Kosovës, por do kenë Zyrat Kadastrale Komunale në funksion të tyre, ku do të mund të marrin shërbimet kadastrale në komunën e tyre, fillimisht Certifikatën e Pronësisë dhe Kopjen e Planit, e më vonë edhe shërbimet tjera”, tha Aliu.

Ky hap synon të përmirësojë aksesin e qytetarëve të këtyre zonave në dokumentet kadastrale si Certifikatat e Pronësisë dhe Kopjet e Planit, dhe me kohën do të shtrihet edhe në ofrimin e shërbimeve të tjera.

“Falënderoj të gjithë qytetarët e komunave përkatëse, kryetarët Erden Atiq, Lulzim Hetemi, Izmir Zeqiri, Ilir Peci, për mikpritjen dhe bashkëpunimin e tyre, si dhe të gjithë ekspertët nga Agjencioni Kadastral i Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme për një bashkëpunim të shkëlqyer në arritjen e sigurimit të pajisjeve teknologjike dhe infrastrukturës përcjellëse, në mënyrë që të funksionalizojmë zyrat kadastrale në këto komuna, pas plot 23 viteve”, tha Aliu.

Ministri Aliu theksoi rëndësinë e lehtësimit të aksesit të qytetarëve në shërbimet kadastrale dhe digjitalizimin e procedurave si një pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për modernizimin e administratës publike. Ai gjithashtu informoi se në këtë vizitë u janë shpërndarë qytetarëve të këtyre komunave Certifikatat e Pronësisë për herë të parë.