Komunat dhe prindërit kërkojnë kthimin e nxënësve në bankat shkollore

Kur kanë mbetur edhe një javë për fillimin e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ende nuk ka vendosur sesi do të mbahet procesi mësimor.

Drejtoritë e Arsimit në komunat e Kosovës, po edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës po kërkojnë që nxënësit të fillojnë mësimin në objektet shkollore, duke e përjashtuar tërësisht mundësinë e fillimit të mësimit në distancë.

Besim Avdimetaj, kryesuesi i drejtorëve komunalë të Arsimit, njëherësh drejtor i Arsimit në Komunën e Pejës, thotë se të gjitha komunat janë të përgatitura teknikisht për të filluar vitin e ri shkollor, ku do të respektohet distanca sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.

“Të gjithë janë të përgatitur teknikisht ku shkollat janë të përgatitura për të filluar vitin e ri shkollor. Opsioni i tretë është ai opsioni që nuk e dëshirojnë komunat, do të thotë opsionin e mësimit online, këto dy opsionet tjera varësisht nga kapacitetet dhe numri i nxënësve nëpër shkolla janë të mundshme…Gjendja teknike e shkollave është në rregull, ku respektohet distanca”, thotë ai.

Versionet që përfshijnë kthimin në objektet shkollore janë më të përshtatshme për Komunën e Suharekës. Drejtori i Arsimit në këtë Komunë, Remzi Bajselmani, deklaron se vetëm në dy shkolla të qytetit është problematike për shkak të numrit të madh të nxënësve, ndërsa në shkollat tjera nuk do ta kenë problem sa i përket sigurimit të distancës.

Edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Islam Shabani, potencon se janë kundër mbajtjes së mësimit në distancë, por përkrahin fillimin e mësimit në objektet shkollore.

“Më i përshtatshëm për ne do të ishte varianti B, për shkak se është metodë e kombinuar. Varianti A është pak më i rëndë për neve sepse kërkon prani fizike të nxënësve në shkolla, që ne realisht e kemi pak vështirë ta realizojmë në shkollat e qytetit, për shkak të numrit të madh të nxënësve. Kështu që të shohim, ne po punojmë në këtë aspekt dhe brenda javës do ta caktojmë dhe do ta definojmë se me çfarë varianti po shkojmë”, thotë ai.

Në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Nazmi Gagica, thotë se përkundër që kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor presin një vendim të unifikuar nga Qeveria e vendit për të gjitha komunat.

Kthimin e tërësishëm në objektet shkollore për nxënësit po e kërkon Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Kryetari i këtij Këshilli, Ymret Reshiti, thotë se nuk përkrahin mësimin në distancë.

“Më i përshtatshëm dhe më e pranueshme për neve dhe për nxënësit që kërkojnë është versioni i parë i planit të ministrisë për fillimin e mësimit, pra mësimi në kushtet normale në shkolla, nxënësit të kthehen në shkolla… Kundërshtimi jonë lidhet drejtpërdrejtë në përvojën e kaluar të organizimit të mësimit në distancë për gjysëmvjetorin e dytë, do të thotë vetëm në këtë kontekst ne kemi reaguar për shkak që vlerësimet dhe konstatimet e gjithanshme nga OJQ-të, nga ata që kanë bërë anketime dhe nga prindërit është se mësimi nga distanca objektivat ose pritshmëritë nuk i ka realizuar mjaftueshëm”, deklaroi ai.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë fillimin e vitit të ri shkollor sipas tre skenarëve, ku skenari A përfshin mësimin me prezencë në institucionet shkollore me masat parandaluese, skenari B nënkupton rikthimin e pjesshëm me mësim të kombinuar-prezencë dhe mësim në distancë dhe skenari C mësimi në distancë.