Prishtinë

Komuna thotë se s’ka asnjë problem për pagesën e kredisë së autobusëve

Komuna e Prishtinës ka kohë edhe 10 vite për ta paguar shumën e kredisë prej 10 milionë eurosh të cilat u shfrytëzuan për blerjen e 51 autobusëve. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë nga Komuna, sipas tyre pagesa nuk paqraqet asnjë problem për buxhetin e komunës.

Tash e dy vite, Komuna e Prishtinës ka blerë 51 autobusë nga kompania çeke “Iveco”, si rezultat i kredisë që Prishtina kishte marrë nga BERZH’i.

Fillimisht, në kryeqytet patën arritur vetëm 30 prej tyre, ndërsa tashmë edhe pjesa tjetër prej 21 autobusëve ka arritur dhe ka filluar të operojë në qytet, që nga data 1 tetor e këtij viti.

Të hyrat që realizon Trafiku Urban, shërbejnë për të mbuluar shpenzimet operative. Ndërsa Komuna e Prishtinës përkujdeset që t’i paguajë këstet e kredisë së autobusëve.

Për t’u paguar kjo kredi, Komuna e Prishtinës thotë se ka kohë deri në vitin 2028, ndërsa kësti i radhës i kredisë do të paguhet në fillim të vitit tjetër.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për Express se me kontratën që ka lidhur Komuna me Trafikun Urban do të ketë stabilitet financiar dhe nuk do të ketë probleme për pagesa.

“Kësti i radhës i kredisë është në fillim të vitit tjetër. Me kontratën për shërbime që ka lidhur Komuna me Trafikun Urban, ndërmarrja do të ketë stabilitet financiar dhe do t’i evitojë problemet e tilla. Nga viti i ardhshëm, edhe Trafiku Urban, edhe operatorët privatë, do të paguhen në bazë të kilometrave që kalojnë. Kthimi i tërësishëm i kredisë bëhet deri në korrik të vitit 2028”, ka thënë Tahiri.

Kontrata për blerjen e autobusëve është nënshkruar nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në bashkëpunim me BERZH-in, në shtatorin e vitit 2016. Kredia totale për blerjen e autobusëve ka vlerë 10 milionë euro.

Me ardhjen e 21 autobusëve të rinj, është krijuar pakënaqësi nga drejtuesit e linjave private. Ata kanë protestuar, pasi sipas tyre, autobusët e Trafikut Urban po operojnë në linja të privatëve, duke ua marrë kështu udhëtarët.

Mospajtimet me Komunën e Prishtinës ata u munduan t’i shprehin duke e ndalur punën e vet, por edhe duke bllokuar trafikun urban të kryeqytetit.

Ani pse, Komuna e Prishtinës thotë se linjat e autobusëve privatë kanë qenë të njoftuar kohë më parë për reformat që do të bëhen në transportin publik dhe se kjo shenjë pakënaqësie që ata po e shfaqin është e paarsyeshme.