Komuna thotë se QMF-ja në Veternik hapet në qershor  

Nga jashtë duket krejt gati për të marrë shërbime, megjithatë Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen “Veternik” të Prishtinës nuk nisi ende funksionimin.

Punët në të filluan korrikun e 2021-ës, e u shtynë ngase u bënë disa intervenime shtesë që u vendosën pas ndërrimit të udhëheqjes lokale. Megjithatë, përurimi planifikohej të bëhej në mars të këtij viti, raporton “Ju Flet Prishtina”.

Vonesat po u shkaktojnë telashe banorëve të këtushëm që për shërbime duhet të shkojnë në QMF-të e lagjeve të tjera.

Drejtori i Shëndetësisë Izet Sadiku, thotë se hapja do të bëhet gjatë muajit qershor.

Kjo qendër, e cila i ka kushtuar komunës mbi 400 mijë euro, sipas Sadikut, do të ofrojë shërbime të shumta për pacientët.

“Prej mjekut familjar, pastaj prej vaksinimit, sistemit të laboratorit, radiologjia, do të ketë edhe mamografi, stomatolog e të gjitha shërbimet që jepen në Qendrën e Mjekësisë Familjare. Është shumë e rëndësishme për këtë zonë të qytetit duke pasur parasysh që kjo është zona që është zhvilluar goxha shumë dhe nuk ka pasur institucion shëndetësor”, u shpreh tutje Sadiku.

I pari i shëndetësisë së kryeqytetit tha se në këtë institucion shëndetësor do të ofrohen shërbime 12 orë në ditë.