Komuna ia pezullon aktivitetet biznesit të vëllait të Hashim Thaçi

Të gjitha aktivitetet e kompanisë “Geo Mineral”, e cila është në pronësi të Idriz Thaçit, vëllait të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë pezulluar nga Komuna e Malishevës të hënën.

Përmes një vendimi të Kuvendit Komunal të Malishevës në mbledhjen e mbajtur të hënën, janë pezulluar aktivitetet e gurëthyesit që është në pronësi të vëllait të Hashim Thaçit. Përveç firmës “Geo Mineral”, vendimi ka prekur të gjitha kompanitë gurëthyese që operonin në këtë komunë, raporton Insajderi.

“Kuvendi i Komunës së Malishevës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe pëlqimeve për operimin kompanive të gurthyesve në territorin e komunës së Malishevës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit Komunal të Malishevës, pas mbledhjes së mbajtur dje.

Vendimi i Kuvendit Komunal parasheh që në të ardhmen, “pëlqimet dhe vendimet në kërkesat e operatorëve për këtë veprimtari” t’i lëshojë Kuvendi i Komunës së Malishevës.

Kompania “Geo Mineral” është në pronësi të Idriz Thaçit, vëllait të Hashim Thaçit. Kjo firmë është e licencuar për shfrytëzimin e gurit gëlqeror që përdoret për zhavorr për asfaltimin e rrugëve. Kompania ka zyrat në Prishtinë ndërsa gurëthyesi gjendet në fshatin Astrazub të Malishevës.


‘Geo Mineral’ – Malishevë

Emri i kompanisë, siç kishte raportuar Insajderi më 2016, figuron në listën e Administratës Tatimore tek bizneset që kanë krijuar borxhe gjatë përiudhes 2009-2014. Për këtë borxh, kompania e vëllait të Hashim Thaçit ishte gjobitur nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Ndërkohë, veç operimit si biznes që merret me tregti private, kompania “Geo Mineral” kishte dalë fitues edhe në tre tenderë publikë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Kompania kishte fituar tenderët në kohën kur drejtor prokurimi në këtë ndërmarrje ishte Nijazi Thaçi, kushëri i Hashim Thaçit.

“Geo Mineral”, ishte shpallur fitues më 24 prill të vitit 2009 në tenderin e emërtuar “Furnizim me material guror”. Oferta e kompanisë peshonte 205 mijë euro. Tenderin e ngjashëm e kishte fituar edhe më 21 prill të vitit 2011. Në tenderin e dytë oferta e kompanisë peshonte 156 mijë euro.

Por tenderin në vlerë më të madhe e kishte fituar më 7 dhjetor të vitit 2009. Tenderi peshonte 1 milionë e 298 mijë euro dhe ishte emërtuar “Ndërtimi i linjës së re të gypit për furnizim me ujë të rëndomtë për Termocentralin “Kosova B” nga kanali Ibër-Lepenc”.