Komuna fasadon objektet e veta, i bën të gjitha të duken njësoj nga jashtë

Janë objekte përcjellëse të të njëjtit institucion, e edhe dukja e jashtme nuk do t’u ndryshojë për shumë gjatë.

Ndërtesa e Komunës së vjetër të Prishtinës, objekti i ri në lagjen Arbëria, ai i Drejtorisë së Inspeksionit, i asaj të Arsimit, e Bashkësitë Lokale do të rinovohen. Plani është që ato të duken të gjitha njësoj.

“Fasadat e jashtme janë paraparë të ndryshohen dhe të bëhen njëjtë të gjitha, ngjyra e dizajni. Do të bëjmë disa rifreskime, meqenëse nuk do të jenë shumë të mëdha, sepse objekti i Komunës së vjetër mbrohet edhe me ligj, dhe do të shikojmë me kryetarin se si të dizajnojmë dhe do të bëjmë kërkesë në Ministrinë e Kulturës që të na lejojnë për t’i bërë disa ndryshime”, tha Drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, Bersant Beka, raporton Ju Flet Prishtina.

Ai tregoi se qëllimi i projektit është që objektet të identifikohen se i takojnë të njëjtit institucion. Punët pritet të nisin gjatë pranverës dhe i gjithë projekti do të kushtojë 300.000 euro, derisa planifikohet të kryhet brenda një viti.

Mirëpo një arkitekt beson se ndërtesat duhet të mbeten unike, sidomos ajo e Komunës së vjetër.

“Nuk mendoj se kish me qenë zgjidhja e mirë me e ndryshu shumë komunën, nëse e kategorizojmë atë me vlera arkitektonike kulturore, atëherë shkon te divizionet e ndërtesave ku qasja e konservimit dhe prezervimit duhet me qenë më specifike, që fokusi primar të jetë të mos rëndohet vlera”, tha Bernat Shala.

Qytetarët ndërkaq e pëlqejnë projektin pasi që thonë se do t’u ndihmojë edhe atyre që vijnë nga jashtë Prishtinës ta identifikojnë më lehtë institucionin.

Megjithatë, ka edhe të atillë që besojnë se të hollat për këtë projekt do të duhej të investoheshin në punësim.