Disa prindër të shkollës fillore “Hasan Prishtina” në mungesë së ndihmës nga Komuna e Prishtinës dhe drejtoria e kësaj shkolle janë detyruar që me mjetet e tyre të blejnë banka të reja shkollore për nxënësit e klasës së dytë, shkruan Gazeta Express.
Komuna e udhëhequr nga Shpend Ahmeti dhe drejtoria e shkollës fillore dhe të mesme të Ulët “Hasan Prishtina” ka dështuar që t’iu sigurojë banka të reja shkollore nxënësve të klasës së dytë edhe pas disa kërkesave që kanë bërë prindërit.
Në një reagim të dërguar për Express, prindërit e nxënësve të kësaj klase thanë se janë detyruar që me vetë financim pas një aksioni të ndryshojnë invertarin e klasës.
“Njëra prej arsyeve kryesore për marrjen e kësaj iniciative rreth ndërrimit të bankave shkollore ka qenë amortizimi i tyre dhe paraqitja e rrezikut tek fëmijët/nxënësit për shkak të ekspozimit të tyre ndaj pjesëve të mprehta të bankave nga vjetërsia. Kjo e zgjidh problemin vetëm për një klasë, e shtrohet pyetja si duhet të veprohet me klasat tjera, a duhet vallë që prindërit t’i blejnë bankat shkollore për të gjitha klasat në shkollë apo komuna duhet të zgjohet më në fund nga gjumi dhe të bëjë më shumë për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve”, thuhet në këtë reagim.








