Komuna e Prishtinës thotë se nuk do të lejojë ndërtimin e pompës së naftës në zonën e gjelbër

Qytetarët e Prishtinës kanë shprehur shqetësimin se një person ka në planë të ndërtojë një pompë të derivateve të naftës në lagjen “Arbëria”, poshtë binarëve të hekurudhës në zonën e gjelbër.

Duke parë gërmimet e dheut, qytetarët kanë reaguar ashpër dhe kanë kërkuar nga Komuna të ndërhyjë. Ne Komunën e Prishtinës kanë thënë për lajmi.net se nuk do të lejojnë ndërtimin në atë zonë.

“Nga data 25 janar, Drejtoria e Inspekcionit ka filluar procedurat për rastin e ndërhyrjes në gjelbërim pranë hekurudhës. Përveç vendosjes së shiritit, palës i është lënë fletëthirrja me datë dhe orë të caktuar për t’u paraqitur në zyrat e Drejtorisë së Inspekcionit, fletëthirrje në të cilën nuk është përgjigjur askush”, tha për lajmi.net, Miranda Mullafazliu-Bejta, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prishtinës.

Ajo ka thënë se kanë marrë bilancet nga Ndërmarrja e Komunës së Prishtinës “Hortikultura”, për dëmet e shkaktuara në gjelbërim, me ç’rast palës i është shqiptuar gjobë maksimale prej 1,500.00 eurosh, dhe me procesverbal është obliguar që ta kthejë terrenin në gjendjen e mëparshme.

Mullafazliu-Bejta ka thënë se deri më tani nuk ka as aplikim për leje ndërtimi nga askush. Përveç kësaj, ajo zonë është e destinuar për gjelbërim, dhe do të mbetet e tillë.

Sipas informatave jo zyrtare, ajo pronë është nën juridiksionin e Ndërmarrjes Publike “Infrakos”. Kjo ndërmarrje nuk i është përgjigjur lajmi.net se për sa vite është dhenë me qira ajo parcelë.