Komuna e Prishtinës lëshon pëllumba për paqen në Ukrainë

Pas seancës solemne të Komunës së Prishtinës, e cila u mbajt në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas në njëvjetorin e luftës në Ukrainë, kryetari Përparim Rama së bashku me një grup fëmijësh lëshuan në qiell pëllumba të bardhë për të dhënë mesazhin për paqe.

Po sot është mbajtur seanca solemne e Kuvendit Komunal të Prishtinës në mbështetje të popullit ukrainas në shenjë solidarizimi dhe thirrje për paqe me rastin e 1 vjetorit të luftës në këtë shtet.

Të pranishëm ishin ambasadorë të vendeve aleate të Kosovës dhe gazetarët ukrainas që janë të strehuar në Kosovë.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se po ndëshkohet një popull paqësor veç pse dëshiron të ndjek rrugën pro-perëndimore.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështes deri në fund luftën e drejtë të Ukrainës.