Komuna e Prishtinës i përgjigjet VV-së: Edhe ju ishit pjesë e qeverisjes kur u shpall tenderi për qumësht

​Lëvizja Vetëvendosje sot ka paraqitur një kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. VV-ja po e akuzon Ahmetin se ka keqpërdorur 530 mijë euro në tenderët për furnizim me qumësht në shkollat e kryeqytetit. E nga komuna po thonë se Vetëvendosja ka qenë pjesë e qeverisjes kur është proceduar tenderi.

Janë bërë tri vite prej kur nxënësit e shkollave fillore në kryeqytet shërbehen me shujta falas nga Komuna e Prishtinës.

Mirëpo, jo pak herë ka pasur ankesa drejt të parit të Prishtinës, për qumështin e kiflet që u shpërndahen nxënësve të klasave I-V nëpër shkollat e kryeqytetit.

E një të tillë e ka zyrtarizuar edhe Lëvizja Vetëvendosje sot, duke dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndaj Ahmetit.

Ky kallëzim penal i dorëzuar në Prokurori nga Lëvizja Vetëvendosje ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime në vlerë prej 530 mijë eurove në tenderët për furnizim me qumësht nga ana e Komunës së Prishtinës.

“Kjo pasi që në vitin e kaluar tenderin për furnizim me qumësht e ka fituar Devolli, në vlerë prej 200 mijë eurove, ndërsa këtë vit me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin afat kohor e ka fituar kompania “ABRAZEN”, në vlerë prej 733 mijë eurove. Pra vlera e keqpërdorimeve është mbi 500 mijë euro, dhe pronar të vërtetë të dy kompanive janë vëllezërit Devolli. Pasi që në kompaninë “ABRAZEN” figurojnë disa persona të autorizuar dhe anëtar të punësuar të kompanisë Devolli Group, njëri nga ta Ernest Isufi, i cili figuron drejtor në Devolli Group”, ka thënë Valdrin Ahmeti, nga Vetëvendosja.

E gjithë këto po i hedh poshtë Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, i cili për Express ka thënë se në kohën kur është proceduar tenderi, Vetëvendosje ka qenë pjesë e qeverisjes.

“VV ka qenë pjesë e qeverisjes, kur është proceduar tenderi. Për më tepër, kur është bërë kërkesa për këtë shërbim, Drejtorinë e Arsimit e ka udhëhequr VV-ja. Data e njoftimit për kontratë, është para balotazhit. Asokohe, VV ishte sy e vesh në Shpend Ahmetin, e kokë e këmbë në Drejtori të Arsimit. Kjo e dëshmon edhe njëherë hipokrizinë që po e shpërfaqë ky subjekt”, ka thënë Tahiri

Ndërkaq ai ka shtuar se përmes akuzave të tilla, Vetëvendosje po tenton ta mbulojë dështimin e furnizimit me shujta falas të nxënësve në Prizren, duke theksuar se ofertën e japin kompanitë, e kësisoj fiton ajo kompani që e ka çmimin më të lirë.

“Përmes akuzave të tilla, po tentojnë ta mbulojnë dështimin e furnizimit me shujta falas të nxënësve në Prizren. Pra, pyetja e vërtetë është pse s’kanë ende kifle dhe qumësht fëmijët në Prizren, e jo sa kushton çmimi i qumështit në Prishtinë. Sepse, ofertën e japin kompanitë, dhe fiton oferta me çmimin më të lirë, e Komuna s’ka se si të ndikojë në këtë çështje”, ka shtuar Tahiri.

Se në Komunën e Prishtinës ka pasur mangësi në procesin e furnizimit të shkollave me qumësht, e ka thënë edhe organizata Democracy+.

Në një diskutim publik për raportin e monitorimit nga kjo organizatë, të mbajtur një muaj më parë, është thënë se kriteret e këtij tenderi kanë qenë të hartuara në atë formë që nga kompanitë vendore vetëm një prej tyre ka mundur t’i plotësojë.

“Qumështi të jetë i standardit UHT, këtë kriter e plotëson në Kosovë vetëm një prodhues i qumështit, Vita”, ka thënë Isuf Zena nga D+.

Dy vitet e para të shërbimit të këtyre shujtave, çmimi i qumështit ka qenë 0.10 centë, ndërsa tani ai është dyfishuar. Komuna po e paguan furnitorin 0.20 centë për qumështin e njëjtë.