Komuna e Prishtinës ende pa vendim për shtatoren e Adem Jasharit

Sa herë që Habib Qorri, shef i shërbimeve publike në Prishtinë, jep deklaratë për media, në zyrën e tij mund të shihet një tabelë me emërtimin “Adem Jashari”.

Ajo ka mbetur në zyrën e tij, pasi që komisioni nuk emërtoi asnjë rrugë me emrin e heroit.

“Unë tabelën e mbaj në zyrë, ku dhe kur duhet të vendoset ajo i takon Komisionit për emërtim rrugësh”, ka thënë për emisionin 038 të KTV-së, Habib Qorri.

Por, Prishtina e ka tashmë një shesh me emrin “Adem Jashari”.

E ky është sheshi i vetëm në kryeqytet që nuk e ka shtatoren e personazhit prej të cilit u emërtua.

Por kjo çështje do të zgjidhet shpejt, thotë Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së. Ai kishe qenë kundër emërtimit të sheshit Adem Jashari, derisa në të qëndron shtatorja e Vëllaznim Bashkimit.

Në buxhetin e këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka ndarë para për ndërtim të shtatores së heroit në Prishtinë.

“Kam qenë kundër atëherë e vazhdoj të mendoj që s’mund të kemi emrin e Adem Jasharit pranë një përmendoreje të ish-regjimit. E mira është që Kuvendi i Kosovës ka ndarë mjete për shtatoren e Adem Jasharit dhe ajo duhet të vendoset në vend të përmendores për të cilën nuk kemi nostalgji. Është keq që Prishtina është vonuar në këtë proces. Qytetet evropiane nderojnë heronjtë tanë sikurse Skënderbeun në Vjenë, e në Kosovë ende ka qytete që nuk kanë emërtuar rrugë me emrin e Adem Jasharit”, ka thënë ai.

Por derisa theksohet që për këtë shtatore do të ndahen 100 mijë euro, lokacioni për vendosje është vetëm Prishtina, pa detaje të tjera.

E kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka thënë KTV-së se shtatorja e Vëllaznim Bashkimit nuk duhet të largohet.

Ai ka thënë se për lokacionin për shtatore të Adem Jasharit duhet të bisedohet me Kuvendin e Kosovës.

“Nuk është vendosur. Besoj shpejt, Komuna e jep propozimin. Kam biseduar edhe me familjen Jashari. Dhe do të bisedoj edhe me Kuvendin dhe institucionet e tjera”, ka thënë Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës.

Për tërë këto çështje, në familjen Jashari në Prekaz nuk kanë pranuar të flasin.

Lulzim Jashari, djali i heroit Adem Jashari, ka thënë për KTV-në se ata nuk janë përzier kurrë në gjëra të tilla.

“Sa herë që zyrtarët vijnë për vizita në familjen tonë, kryesisht në mars, e përmendin çështjen e shesheve e shtatoreve, por sa dalin nga dera, e harrojnë një gjë të tillë. Emërtimi i rrugëve me emrin e Adem Jasharit nuk e bën më të madhe veprën e tij, është thjesht respekt dhe ne si familje preferojmë të mos flasim”, ka thënë Jashari.

E në Agjencinë Kadastrale të Kosovës kanë thënë se janë gjithsej 14 rrugë që mbajnë emrin e heroit Adem Jashari në Kosovë. 4 komuna, duke përfshirë Prishtinën, kanë sheshe, ndërsa Vushtrria është komuna e vetme që ka bulevardin Adem Jashari. Ndërsa Komuna e Drenasit, rrugën Adem Jashari e ka lënë rezervë.

E përveç komunave serbe që nuk kanë rrugë me emër të heroit, janë edhe disa komuna që janë udhëhequr kryesisht nga LDK-ja, si Istogu e Podujeva, si dhe nga AAK-ja, Juniku e Deçani, që nuk kanë as shesh as rrugë me emrin Adem Jashari.