27 vjeçari Visar Behrami u gjet i vdekur nën rrënojat e objektit ish-hoteli“Adriatik”në Mitrovicë.
Një pjesë e këtij objekti u shembë teksa viktima ishte duke punuar.
Pas disa orë kërkim trupi i pajetë i të riut u nxor nga rrënojat, për këtë rast u arrestuan dy persona, shkruan Ballkani.info

Përgjegjësi për këtë vdekje deri më tani nuk ka marrë askush, e as komuna e Mitrovicës.
Nënkryetari i këtij institucioni Faruk Mujka për Ballkani.info tha se komuna e Mitrovicës nuk ka qenë në dijeni për punimet të cilat kanë qenë duke u kryer në këtë objekt.
Sipas tij ekzekutuesi i punës nuk ka parashtruar asnjë kërkesë në Drejtorinë e Urbanizimit për leje pavarësisht që ka qenë i obliguar.
Ai shpjegon se ky objekt ishte ndërtuar që në vitet e 50 dhe se prej vitit 2005 nuk ka qenë pronësi e komunës.

“Ky objekt është i ndërtuar në vitet e 50, vitin 2005 është privatizuar dhe më nuk është nën kompetencat e komunës. Objekti në fjalë prej asaj kohe ka qenë i papërdorshëm dhe si duket gjatë vikendit dikush e ka marrë nga pronari më qera dhe ka filluar me disa renovime brenda objektit. Ekzekutuesi i punëve nuk ka parashtruar asnjë kërkesë në Drejtorinë e Urbanizmit për leje edhe pse nuk është pronësi e komunës është i obligueshëm të parashtroj kërkesë për leje për çfarëdo objekti. Ka punuar fshehurazi gjatë ditëve të vikendit. Ka qenë e pamundur me ditë nga Inspektorati se çfarë po ndodhë. Na sot kemi formuar një komision nga Drejtoria e Emergjencës Urbanizimit dhe Inspeksionit me e bë një raport dhe me e pa se çfarë hapa duhet me u marrë për ditët në vijim”, ka thënë Mujka
Viktima ishte vet i katërti duke punuar, të tjerët shpëtuan nga vdekja./Ballkani.info








