Komuna e Mitrovicës e ka përmirësuar gabimin në pllakën përkujtimore të vendosur në nder të viktimave të Masakrës së Tregut.
Aty është vendosur emri i romes, Elizabeta Hasani, e cila ishte vrarë kur kishte vetëm 5 vjeç.

E ky përmirësim nga Komuna erdhi pas presionit që erdhi nga shoqëria civile dhe mediat, e që nisi me reagimin e ish-këshilltarit të Albin Kurtit, Shkëlzen Gashit.
Gashi e kishte publikuar fotografinë e Elizabetës së vrarë, dhe kishte akuzuar institucionet për diskriminim, duke thënë se po e mohojnë viktimën.

Komuna kishte reaguar duke e pranuar gabimin, por kishin shtuar se gabimi kishte ndodhur pa dashje. Ata, madje, kishin provuar ta largonin përgjegjësinë nga vetja, duke shtuar se kishin ftuar familjarë dhe të tjerë që kanë informacione.
Sidoqoftë, nga shoqëria civile ishte thënë se nuk justifikohet një gabim i tillë dhe kanë kërkuar që emri të vendoset sa më parë.







