Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka nxjerrë rajonin e Gjilanit më të papastrin në nivel vendi. Ky rajon, që përbëhet nga 7 komuna, është më i ndoturi nga mbeturinat.
Në bazë të raportit, i cili trajton çështjen e menaxhimit të mbeturinave komunale në rajonin e Gjilanit janë identifikuar 228 deponi ilegale të mbeturinave, i cili rajon përbëhet nga komuna e Vitisë, Novobërdës, Kamenicës, Ranillugut, Parteshit, Kllokotit dhe Gjilanit. Kompania e pastrimit “Ekohigjiena” është e angazhuar për ofrimin e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave komunale dhe transportimin e tyre deri te deponia rajonale e mbeturinave që gjendet në Velekincë të Komunës së Gjilani.
Ballkani.info ka kontaktuar me kryeshefin e Agjencisë për Mbrotjen e Mjedisit, Ilir Morina i cili tha se raporti është obligim ligjor që i shërben Parlamentit të Kosovës dhe Qeverisë.
Më pastaj Ballkani.info ka kontaktuar edhe me drejtorin e Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrotjes së Mjedisit në Komunën e Gjilanit, Bekim Bajrami i cili tha se nuk janë 228 deponi, por janë evidentuara 74-75 deponi ilegale.
“Nuk janë 228 deponi ilegale, janë 74-75 deponi ilegale sa janë të evidentuara. Raporti ka qenë dëshpërues, ne do ta marrim raportin dhe do të përpiqemi ta përmirësojmë mjedisin”, tha drejtori Bajrami.
Rajoni i Gjilanit ka dalur të jetë më i papastri sipas AMMK-së në raportin vitor të kësaj agjencie. /Ballkani.info/







