Komuna e Gjakovës ka ndarë rreth 100 mijë euro për të blerë 10 mijë teste serologjike përmes së cilave synon të testojë qytetarët e saj. Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Gjakovës, Ferdinand Kolaj, tha se pritet që javën e ardhshme të mbërrijnë këto teste.

Momentalisht, vetëm Komuna e Prishtinës realizon teste serologjike. Këto testime, Kolaj thotë se do të realizohen menjëherë sapo të mbërrijnë testet dhe që do të kryhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Komuna e Gjakovës ka marrë vendim që të kemi teste serologjike që do të kryhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Jemi në procedurë, janë ndarë 100 mijë euro për këtë punë. Jemi në pritje, do të thotë është çështje ditësh kur do të fillohet edhe me implementimin e këtij projekti, domethënë në luftën ndaj COVID-it është edhe pjesa e testeve serologjike e cila do të na ndihmojë të shohim sa kemi infektimin e popullatës dhe do të kemi testet IGG dhe IGM që do të tregojnë nëse pacienti e ka, ose e ka kaluar virusin, dhe nëse është brenda, a ka krijuar antitrupa”, deklaroi Kolaj.

Aktualisht, për t’i dalë në ndihmë Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, Komuna e Gjakovës e ka shndërruar Qendrën e Mjekësisë Familjare “Emin Duraku” në pikën ku i jepet ndihma të gjithë atyre që janë pozitiv me COVID-19.