Komuna e Fushë-Kosovës mbyll rrugën ‘Dardania’, për të shndërruar në ‘Shëtitore’

Komuna e Fushë-Kosovës ka njoftuar se do ta mbyll pjesërisht për trafik rrugën ‘Dardania’, për të shndërruar atë në ‘Shëtitore’, raporton Ballkani.info.

Në njoftim thuhet se punimet do të fillojnë nga 10 korriku dhe do të zgjasin 45 ditë, konkretisht deri më 25 gusht.

“Komuna e Fushë-Kosovës njofton të gjithë qytetarët se në bashkëpunim me organet e rendit, do të bëjë mbylljen e pjesshme për trafik të rrugës ‘Dardania’, për të shndërruar atë në ‘Shëtitore’. Ky ndryshim do të bëhet duke filluar nga data 10 Korrik 2019 deri më 25 Gusht 2019, çdo ditë nga ora 19:00 deri në ora 23:00”, thuhet në komunikatë.

Komuna ka kërkuar nga qytetarët që të shfrytëzojnë rrugët alternative për qarkullim.

“Lusim ngasësit e automjeteve që të shfrytëzojnë rrugët alternative për qarkullim, sipas informatave të paraqitura në formë vizuele në këtë njoftim. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë kohës së shfrytëzimit të kësaj rruge si shëtitore”, përfundon njoftimin./Ballkani.info/

loading…