Ferizaj

Komuna e Ferizajt reagon kundër Qeverisë për humbjen e fondeve nga BE-ja

Zëdhënësi i Komunës së Ferizajit, Selim Marevci, ka thënë se Kosovës i kanë humbur fonde milionëshe.

Kjo humbje e fondeve sipas tij vjen si pasojë e neglizhencës të dikasterit të Integrimeve Evropiane që drejtohet nga Zëvendëskryeministri, Bisnik Bislimi.

“Qeveria e Kosovës, si pasojë e neglizhencës, sidomos të digasterit të Integrimeve Evropiane që drejtohet nga Zëvendëskryeministri, e humb mundësinë për të anëtarësuar vendin në programet e INTERREG, ku do të kishim mundësi të shfrytëzonim fonde të mëdha për zhvillimin e komunave dhe rajoneve të Kosovës”, ka shkruar Marevci në rrjetin e tij në Facebook.

Mes tjerash Marevci ka thënë se Kosova ka humbur edhe mundësinë e anëtarësimit në programet e ERUOMED dhe ADRION.

Të gjitha këto programe sipas tij Qeveria i ka humbur shkaku i mos dijës.

“Të gjitha këto programe me fonde janë në vlerë shumë milionëshe, që qeveria jonë i humbi pa asnjë arsye, vetëm si pasojë e mos dijës, arrogancës dhe neglizhencës. Të gjitha shtetet e Ballkanit kanë shfrytëzuar këtë mundësi dhe janë bërë anëtare, përveç shtetit tonë, Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.

Për fund ai ka kërkuar që dikush duhet të reagoj për këtë “dështim”.

VIDEO BONUS: Interesim i madh për pasaporta pas liberalizimit – Për dy ditë aplikuan 7 400 qytetarë