Komuna e Ferizaj ndanë 200 mijë euro për luftimin e pandemisë COVID-19

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi- Bytyqi, gjatë ditës së sotme ka ftuar mbledhje të jashtëzakonshme të Komitetit për Politikë dhe Financa.

Kryesuesja Gashi, anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa i ka njoftuar se së bashku me ekzekutivin komunal është vendosur që të ndahet shuma prej 200 mijë euro për menaxhimin e pandemisë Covid-19, raporton Syri.net Kosova 

Ndërkaq, drejtorja për Financa, Sebahate Ajeti- Sadiku, para anëtarëve të Komitetit për Politike dhe Financa, tha se shuma prej 200 mijë euro për pandeminë Covid-19 do të merren nga kategoria mallra dhe shërbime.

Ajo shpjegoi se mjetet do të  ndahen si: 50 mijë euro janë nga nënprogrami i administratës, 50 mijë euro janë ndarë nga administrimi dhe mbledhja e tatimit në pronë, 50 mijë euro janë ndarë nga nënprogrami i infrastrukturës rrugore, 50 mijë euro janë ndarë nga nënprogrami për shërbime e shëndetësisë primare.

“Kjo shumë do të shfrytëzohet për sigurimin e artikujve, pakove ushqimore e higjienike për familjet me gjendje të rëndë ekonomike, dezinfektimi i hapësirave publike, furnizimi me mjete mbrojtës nga virusi CoVid-19 si dhe mbulimin e nevoja tjera që dalin si rezultat i parandalimit të këtij virusi”, ka thënë drejtorja Sadiku.

Vendimin për ndarjen e 200 mijë eurove për pandeminë Covid-19 e kanë përkrahur të gjitha grupet e tjera parlamentare të përfaqësuara në Komitetin për Politikë dhe Financa.

Mbledhjen e jashtëzakonshme  e ka konfirmuar edhe vet kryesuesja e Kuvendit Komunal të Ferizajt Kristina Gashi- Bytyqi e cila tha se “Këto 200 mijë euro janë planifikuar për luftën ndaj CoVid-19, si dhe do t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve të Ferizajt”.

Mbledhja e  jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës do të mbahet nesër në teatrin e qytetit “Adriana”, ndërkaq aty do të jetë edhe një ekipe mjekësore që do të kontrollojë asamblistët.