Komuna e Mitrovicës

Komuna e Agim Bahtirit paguan para pa pasur njohuri rreth përfituesve të mjeteve

Komunat e Kosovës po vazhdojnë të ekzekutojnë pagesa të larta për vendime të gjykatave. Njëra prej komunave që po bën pagesa të larta është edhe komuna e Mitrovicës së Jugut e cila udhëhiqet nga Agim Bahtiri.

Mbi 71 mijë euro është shuma e mjeteve që ka paguar Komuna e Mitrovicës nga 1 janari deri më 31 tetor 2020 për rastet e humbura në gjykata nga palët që e paditën dhe përmbarimet nga përmbaruesi privat. Kjo shumë në total gjatë këtij viti është rreth gjysmë milioni euro. Por, krahasuar më vitin paraprak është më e vogël, ngase gjatë këtij viti gjykatat u obliguan të punojnë vetëm për raste të natyrës urgjente.

Por, e çuditshme është se komuna e Mitrovicës në shumë raste, nuk e di se kush është përfituesi i pagesave.

“Vlen të theksohet, për disa pagesa nuk kemi njohuri rreth përfituesve të mjeteve dhe obligimit fillestar ndaj kreditorit. Kemi dërguar e-mail te avokati komunal për të na dhënë këto informata dhe jemi në pritje të këtyre të dhënave. Të dhënat janë barazuar nga Raportet e SIMFK-së”, thuhet në raportin e punës të muajit tetor 2020 të Komunës së Mitrovicës të cilin e ka parë lajmi.net.

Sipas këtij raporti, gjatë muajit të kaluar (shtator)  përmes pagesave elektronike janë ekzekutuar 3 lëndë në shumën prej 11,710.00 euro, në kategorinë e Subvencioneve dhe Transfereve. Pagesat janë kryer nga Ministria e Financave – Departamenti i Thesarit.

Gjatë muajit tetor, shumat më të mëdha të paguara janë për përfituesit: KRU Ujësjellësi Mitrovica, i janë paguar 12,868.95 euro. Arsim Zeneli i cili ka përfituar nga komuna shumën 6,914.40 euro, sipas vendimit 2436/2020. Agnesa Kurshumliu, 3,521.12 euro, etj.

Sipas këtij raporti, janë 74 vendime të ekuztuara. Shuma totale që ka paguar komuna në tetor është 71,709.36 euro.

Komuna e Mitrovicës nuk ka dashur të përgjigjet se sa është borxhi total nga paditë e gjykatave- përmbaruesit privatë, sikundër nuk kanë pranuar të tregojnë lidhur më atë se si po kryhen pagesat pa pasur njohuri rreth përfituesve të mjeteve dhe obligimit fillestar ndaj kreditorit. Komuna nuk është përgjigjur as për se cila është natyra e rasteve të humbura në gjykatë. Por, siç ka mësuar lajmi.net, rastet më të shpeshta janë për çështje pronësore.

Këto mjete po paguhen prej Komunës nga kategoria “mallra dhe shërbime”.

Ditë më parë, Lëvizja Fol ka publikuar një raport për pagesat që kanë bërë komunat për periudhën janar-shkurt 2020.

Sipas këtij raporti, gjatë periudhës janar–gusht 2020, Komunat për vendime të gjykatave kanë shpenzuar rreth 3 milion euro, apo 8,47 për qind të buxhetit fillestar të paraparë për të gjitha Komunat e Kosovës.

Sipas Fol, gjatë periudhës janar – gusht 2020, Komuna e Mitrovicës së Jugut ka shpenzuar shumën prej 242,932.60 euro për vendime të gjykatave. Kjo është komuna e dytë me më së shumti shpenzime për vendime të gjykatave gjatë kësaj periudhe.

Ndërkaq në raport me buxhetin fillestar të kësaj komune, sipas Fol,  i cili për vitin 2020 ishte vlerësuar 22,115,361.00 euro në total, këto shpenzime zënë 1.09 për qind të këtij buxheti. Gjatë kësaj periudhe tetë mujore, pagesat nga kjo komunë janë bërë vetëm për kategorinë mallra dhe shërbime. Numri i lëndëve në të cilat komuna ka qenë pjesë dhe është detyruar të paguaj shumën prej 242,932.60 euro për tetë muaj.

Kjo komunë gjatë vitit 2019 ka pasur dukshëm më shumë shpenzime për vendime gjyqësore, respektivisht 1,476,047.81 euro, të cilat ishin bërë vetëm për dy kategori buxhetore: mallra dhe shërbime dhe shërbime komunale. Kjo ulje drastike e shpenzimeve gjatë kësaj periudhe ka ardhur për shkak se gjykatat kanë punuar me kapacitet të zvogëluar dhe vetëm për rastet urgjente, si masë e nevojshme në luftën kundërpërhapjes së pandemisë COVID-19.