Komuna do të mbulojë shpenzimet e varrimit për qytetarët e Skenderajt

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka njoftuar qytetarët e komunës, se tash e tutje komuna do të hjek shpenzimet në rastet e vdekjeve.

“Të nderuar qytetarë të Skenderajt, Jam tejet i lumtur që t’ua kumtoj lajmin që për herë të parë po fillon e realizimi i projektit më përfitues i mundshëm për qytetarët tanë. Nga sot, secila familje që do të ketë rast vdekjeje, përveç dhembjes, nuk do të ketë edhe barrën e organizimit të varrimit në aspektin teknik, si dhe shpenzimet financiare për varrim. Me një planifikim të mirë të buxhetit, kemi siguruar mjetet financiare për t’i mbuluar shpenzimet e domosdoshme, e që për raste të caktuara janë edhe të papërballueshme”, ka shkruar kryetari Jashari.

Ky propozim i kryetarit Jashari ka marrë mbështetjen e anëtarëve të Komitetit për Politikë e Financa, të cilët i kanë rekomanduar Kuvendit për miratim.