Komshiq flet në Beograd për taksën e Kosovës ndaj Bosnjës

Anëtari i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq ka deklaruar në Beograd se vendet e rajonit duhet të ndërtojnë marrëdhënie më të mira për veten e tyre dhe jo për dikë tjetër.

Këto komente ai i bëri në seancën “Dialogu diplomatik” me temën “Bashkimi Evropian, Ballkani Perëndimor dhe bashkëpunimi rajonal”, i organizuar nga Forumi i Marrëdhënieve Etnike.

Duke thënë se shumë çështje mbeten të hapura në rajon, Komshiq shtoi se zgjidhja e tyre është e nevojshme për jetën më të lehtë të qytetarëve.

“Ne aktualisht kemi disa çështje shumë të vështira në rajon, siç janë pengimi i njerëzve të thjeshtë, futja e taksës nga Kosova për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja. Padyshim që kjo nuk ka nevojë të zgjidhet vetëm që ne ta tregojmë veten në Washington e as Bruksel”.

“Këto janë gjëra që duhet t`i bëjmë për vete. Synimi im është që këtu në Beograd të them se në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe ju në Serbi, duhet ti përvjelim mëngët dhe t`i zgjidhim disa gjëra që i kanë tensionuar marrëdhëniet e dy vendeve tona për një kohë të gjatë. Është koha që fqinjët e mirë ta zgjidhin këtë në mes vete”, tha ai.

loading…