Lamir Thaçi

Kompanisë “Apetiti” i ndalohet eksporti, mishin e ardhur nga Brazili e shiti si të Kosovës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV), ka urëdhuar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport kompanisë “Apetit sh.p.k”, pas raportimeve të mediave në Shqipëri se e njëjta kompani ka importuar mish nga Brazili dhe më pas ka falsifikuar dokumentet për origjinën e mishit.

Lajmin për Ballkani.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi.

Thaçi ka njoftuar se  tashmë është formuar Komisioni profesional që do të gjurmojë të gjitha hyrje-daljet e biznesit për të vërtetuar dyshimet e ngritura dhe po ashtu është informuar Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

“Pas dyshimit të ngritur për falsifikim të origjinë se produktit ushqimore( mish) nga Operatori Ekonomik Apetit sh.p.k. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për biznesin e lartcekur. Është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin ( gjurmushmërin/përputhshmërinë) e të gjitha hyrje daljeve të biznesit për të vërtetuar dyshimin e ngritur. Po ashtu janë informuar edhe autoritete tjera qe merren me taksat ( doganat, ATK). Të cilat do të gjurmojnë për pjesën e mandatit të tyre dhe në të njëjtën kohë do e mbështesim njëra tjetrën, me të dhënat rreth të gjeturave qe burojnë nga kontrollet e detajuara. Pas kompletimit të plotë të hulumtimit do të ju mbajmë të informuar mbi të gjeturat”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka bërë të ditur se do të ndërmerren të gjitha masat ndëshkimore të përcaktuar me ligj.

“Secili i përfshirë në veprime të kundërligjshme do të përballet me masat ndëshkimore të përcaktuara me ligj. Si autoritet premtojmë transparencë të plotë me të dhënat pas kryerjes se gjurmimit. Po ashtu mbi secilën masë ndëshkimore qe vendoset për secilën palë të involvuar do paraqesim shkeljet nëse vërtetohen. AUV nuk do ta amnistoj asnjë punonjës për të cilin vërtetohet se ka bërë shkelje”, ka thënë ai./Ballkani.info/