Kompania që pajisi FSK-në me HUMVEE, tani do ta furnizojë ushtrinë amerikane me JLTV

Kontraktori i mbrojtjes amerikane dhe prodhuesi i veturës legjendare HUMVEE, AM General, të enjten njoftoi se ka fituar një kontratë për prodhimin e Joint Light Tactical Vehicles (JLTV), të cilat do t’i dorëzohen forcave të armatosura amerikane. Po e njëjta kompani kishte furnizuar edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës me vetura HUMVEE.

Komanda Kontraktuese e Ushtrisë së SHBA-së, Detroit Arsenal, ka arritur një marrëveshje pesëvjeçare (me mundësi të zgjatjes edhe për pesë vite të tjera) me AM General për të prodhuar rreth 20 mijë vetura taktike ushtarake “JLTV” dhe të dhjetë mijë rimorkiove ndërsa përfshin edhe përmirësime të teknologjisë.

“Ne ndihemi të nderuar që kemi marrë këtë kontratë dhe që vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me Forcat e Armatosura të SHBA-së….”, tha Jim Cannon, president i përgjithshëm dhe drejtor ekzekutiv i AM General, raportojnë mediat amerikane, transmeton Telegrafi.

AM General kujtojmë se tre vite më parë i kishte dorëzuar Forcës së Sigurisë të Kosovës 200 vetura ushtarake HUMVEE, ndërsa në prillin e vitit 2021, Policinë e Kosovës e kishte furnizuar me tre autoblinda të transportit të personelit (APC) të llojit Bastion.

Ndërkohë, kompania ka deklaruar se disa nga teknologjitë e përmirësuara të JLTV përfshijnë edhe mbrojtjen nga korrozioni dhe furnizimit më të shpejt me karburant.

Veturat JLTV do të prodhohen në një fabrikë të dedikuar për mjete ushtarake të AM General në Mishawaka të Indiana, SHBA.

MMC ka edhe një pistë testuese ku JLTV-të do t’i nënshtrohen provave në një mjedis operativ dinamik.

Këto objekte mbështesin gatishmërinë e kompanisë për ekzekutimin e një tranzicioni të qetë për prodhimin, testimin kualitativ dhe shpërndarjen e JLTV-ve.

Ndryshe, dërgesat e veturave për tek ushtria amerikane pritet që të fillojnë 17 muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes mes palëve.