Njëra ndër kompanitë që ka fituar një pjesë të tenderit për ndërtimin e Unazës së Madhe në hyrje të Tiranës është krijuar vetëm 3 muaj para garës.
Ky është pretendimi që bën publik këtë të martë deputeti i PD-së Agron Shehaj përmes një statusi në rrjetin social. Shehaj ka publikuar dhe një dokument që tregon se firma guackë Dunëell Haberman nuk ka asnjë lloj aktiviteti apo punonjësi dhe është njëra ndër fitueset që do të kryejë njërin ndër tre lotet e Unazës, atje kur prej thuajse një muaji qytetarët e “Astirit” protestojnë në mbrojtje të shtëpive të tyre.

“Edi Rama t’u thotë shqiptarëve se kush është personi që do përfitojë 20 milionë eurot e projektit të Unazës së Re që do t’i shkojnë kompanisë guackë Dunëell Haberman, e krijuar vetëm tre muaj para tenderit, pa asnjë lloj aktiviteti, pa asnjë punonjës! Nëse nuk e tregon, do të thotë se është i vërtetë informacioni se pronari i kësaj kompanie është vetë Edi Rama. Këtu ndodhet ekstrakti zyrtar që tregon që kompania është krijuar në datën 25 qershor 2018. Ky dokument tregon jo vetëm branch-in shqiptar, por edhe që kompania mëmë është krijuar tre muaj para tenderit!”-shkruan Shehaj.
Ndërkohë deputetja e PD-së Jorida Tabaku po në rrjetin social ka shpjeguar se projekti i Unazës nuk do të kushtojë 40 milionë euro por 48 mln. Sipas deputetes shifrat e projektit që tashmë ka dalë tregojnë vlerën pa TVSH-në, duke fshehur në këtë mënyrë koston reale të Unazës.
“Mbi koston e Unazes se Tiranes!
Kemi disa dite qe diskutojme per koston e Unazes se Tiranes dhe faktit qe kosto per kilometer eshte 20 milione euro. Ne fakt te gjitha tenderat publike japin vleren e tenderit pa TVSH qe do te thote kosto eshte ne te vertete 48 milione euro dhe 24 milione euro per kilometer.
Kjo tabele e ARSH e tregon me se miri korrupsionin e paprecedente me kete tender!”-shkruan Tabaku.








