Kompania “Paykos” padit Telekomin në Arbitrazh

Kompania “Paykos” ka ushtruar padi në Qendrën Zvicerane të Arbitrazhit ndaj Telekomit të Kosovës.

Padia e kompanisë private me bazë në Prishtinë ndaj Telekomit ndërlidhet me një kontratë të lidhur mes palëve në vitin 2015 për shitjen, distribuimin dhe promovimin e mbushjeve Pre-Paid të Valës.

E ashtuquajtura “marrëveshja komerciale mes PTK-Paykos” ishte nënshkruar më 16 mars 2015/

Ushtrimin e padisë së “PayKos” ndaj Telekomit e ka njoftuar ndërmarrja publike ndërmjet një njoftimi në platformën e prokurimit publik, e-prokurimi.

Sipas njoftimit të Telekomit për angazhimin e një studioje ligjore ndërkombëtare për përfaqësim pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit, kontesti lidhet “me interpretimin dhe kalkulimin e disa aspekteve të raporti kontraktual në mes të palëve”.

“Natyra e kësaj kërkesë ka të bëjë me shërbime profesionale ligjore dhe specifike të përfaqësimit pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit (Swiss Arbitration Center), nga avokate të licencuar dhe me përvojë të përfaqësimit në një institucion të tillë të arbitrazhit. Telekomi i Kosovës është palë e paditur, derisa Paykos LLC është palë paditëse”, thuhet në njoftim.

Për mbrojtje në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Zvicrës, Telekomi ka angazhuar një studio ligjore austriake. Me këtë rast, ndërmarrja publike ka shpërblyer me një kontratë të vlefshme 225 mijë euro studion ligjore “Baker McKenzie“, me bazë në Vjenë.

“Me këtë kërkesë pritet qe te angazhohen një kompani ligjore e licensuar dhe me ekspertizën dhe eksperiencën e nevojshme për përfaqësim të Telekomit të Kosovës. Kjo duhet të përfshijë edhe aspektin procedural të rregullave të arbitrazhit të aplikueshme, dhe gjithashtu edhe ligjit të aplikueshëm dhe aspektit kontraktual”, thuhet në njoftim.

Katër vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes bazë mes Telekomit dhe “Paykos”, palët kishin lidhur edhe dy aneks-kontrata të tjera me njëra-tjetrën.

Në aneksin e parë, kompania “Paykos” kishte përfituar 700 mijë euro nga shitja e një sasie të mbushjeve për Vala-n dhe 350 mijë të tjera në të dytën.

Për këtë çështje, Telekomi i kërkonte kompanisë që pagesat t’ia kryejë në afat rekord para se të shitet malli, kishte raportuar Buletini Ekonomik.

Paparaci ka kontaktuar të martën me pronarin e kompanisë “PayKos”, Armend Zeqiraj, por i njëjti nuk ka dhënë detaje për padinë e ushtruar ndaj ndërmarrjes publike.

Nuk dihet se sa është vlera e dëmshpërblimit të kërkuar nga ana e kompanisë mbi dëmet që pretendohet t’i jenë shkaktuar asaj.

Në internet, figurojnë pak të dhëna për aktivitetet e kompanisë “Paykos”, por dihet se ajo lshtë regjistruar si biznes në ARBK gjatë dhjetorit të 2014-s.