Kompania e Ujësjellësit ka një apel për qytetarët e Gjilanit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidromorava, ka njoftuar se prej 21 qershorit nga ora 21:00 deri në ora 6:00 të mëngjesit do të ndërprehet furnizimi me ujë, për të ruajtur ujin shkaku i thatësisë.

“Të detyruar nga kushtet klimatike, ku jemi përballur me thatësirë dhe mungesë të ujit, Kru “Hidromorava” Sh.A. është e detyruar të aplikojë restriksione më të mëdha të furnizmit me ujë.
Nga sot 21.06.2019 FPU Përlepnicë ora 21:00 deri 06:00 do të ndërprejë trajtimin e ujit për pije në mënyrë që sasia e ujit 16.58 m në Pendën e Përlepnicës të menaxhohet në mënyrën më optimale. Prandaj të gjitha lagjet e qytetit dhe fshatrat që furnizohen përmes FPU Përlepnicë do të përballen me reduktime nga ora 21:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit”.

Po ashtu kjo kompani, ka thënë se Inspektorët e Komunës së Gjilanit po vazhdojnë inspektimet në qytet e fshatra për të evidentuar keqpërdorimet me ujin e pijshëm.

“Inspektorët e Komunës po përkrahen nga ekipet e Kompanisë Regjionale të Ujit “Hidromorava” dhe nga Policia e Kosovës” thuhet në njoftimin e kompanisë.

Kompania e ujësjellësit apelon qytetarët që t’i përmbahen vendimit të komunës dhe të mos e përdorin ujin e pijshëm për ujitjen e kopshteve, oborre, sikur edhe autolarjet që e kanë të ndaluar ta përdorin, në të kundërtën, do të pasojnë gjobat prej 300 euro.