Hostinger tha se është detyruar të ndryshojë fjalëkalimet e përdoruesve si një masë parandaluese pasi mësoi rreth një aksesi të paautorizuar në databazën e kompanisë e cila përmbante miliona informacione të konsumatorëve.
Thyerja e sigurisë ndodhi të Enjten. Kompania përmes një postimi në blog lajmëroi konsumatorët e saj rreth sulmit. Hakerët kanë arritur të aksesojnë sistemet pa pasur nevojë për emrat e përdoruesve dhe fjalëkalimet duke ndërhyrë në databazën API.
Kjo e fundit përmbante emrat e përdoruesit të konsumatorëve, fjalëkalimet dhe adresat e e-mailit.
Sipas Hostinger databaza API ruante afro 14 milionë rekorde konsumatorësh. Kompania numëron mëse 29 milionë konsumatorë.
Konsumatorët e prekur tashmë janë lajmëruar përmes adresës së e-mail-it për të ndryshuar fjalëkalimet. Sipas Hostinger të dhënat financiare nuk janë prekur e as skedarët e uebsajteve dhe të dhënat e tyre të hostuara në serverët e Hostinger.
Kompania tha se është në kontakt me autoritetet përkatëse pas incidentit.







