Kompania e GTA 5 nxjerr video-lojën e re, pas shumë vitesh

“Rockstar”, kompania e video-lojërave që njihet për “Grand Theft Auto”, një nga video-lojërat më të suksesshme në histori, ka hedhur dje në treg lojën e dytë më të suksesshme, Red Dead Redemption 2.

RDR 2 vjen pas suksesit të madh që patën me prodhimin e parë, “Red Dead Redemption”, e hedhur në treg në vitin 2010. RDR ishte vazhdim i një loje të mëparshme, “Red Dead Revolver”, i zhvilluar nga Rockstar San Diego në 2004, por që nuk pati suksesin e kësaj të fundit.

Ashtu si GTA, RDR është një lojë jo-lineare, por me “botë të hapur”. Kjo do të thotë që lojtarët nuk detyrohen të ndjekin një linjë dhe një rrugë të paracaktuar nga misionet, por mund të lëvizin lirshëm në një botë mahnitëse virtuale dhe të zgjedhin vetë se çfarë bëjnë, dhe se kur e bëjnë. Rockstar është bërë e famshme pikërisht për vëmendjen e madhe që di t’i japë çdo detaji në botët virtuale që ka krijuar me seritë e “Grand Theft Auto”.

Ndryshe nga GTA, “Red Dead Redemption” zhvillohet në kohën e perëndimit të largët amerikan, në vitin 1899, dhe ngjarja shihet nga sytë e Arthur Morgan, anëtar i një bande të rrezikshme holandezësh, e quajtur “Van der Linde”. RDR është cilësuar gjithashtu si një nga lojërat më të bukura në histori.