Kompania ajrore Germania nga viti i ardhshëm edhe në Kosovë

Kompania e pavarur ajrore Germania nga data 31 mars 2019 do të stacionojë një Airbus A319 me kapacitet 150 ulëse, në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Së bashku me partnerin Air Prishtina, kompania ajrore gjermane do të zgjerojë rrjetin e fluturimeve, duke hapur ndër të tjera edhe linja të reja nga Prishtina për Shtutgart, Hamburg dhe Hanover.

Linjat ekzistuese të cilat realizohen në bashkëpunim me partnerin për dhe nga Munihu, Dyseldorfi, Bazeli dhe Verona do të vazhdojnë të operojnën edhe më tutje.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë  Christian Heldt  ka thënë se ky investim nuk është vetëm për nevoja të diasporës, por edhe shërbime të tjera.

Ai shtoi se investimi i kompanisë ajrore Germania tregon për dinamikën dhe bashkëpunimin ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, dhe se shpreson që ky investim do të ndikojë në rritjen e punësimit.

Ambasadori gjerman ka thënë se me fluturimet shtesë nga kompania ajrore Germania prej Aeroportit të Prishtinës si bazë, shpreson që Gjermania së shpejti do të jetë destinacioni numër një i udhëtarëve.

Ndërsa, Haldun Firat Kokturk nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, vlerësoi lart investimet e kompanisë ajrore Germania për linja të reja nga Gjermania në Kosovë dhe anasjelltas. Ai beson se procesi i vazhdueshëm për zgjatjen e pistës do të ketë efekte pozitive në këtë aspekt.

Sieghard Jahn, anëtar i Bordit të Germania Group, vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me kompaninë Air Prishtina, për të cilin tha se bazohet në besim reciprok.  Ai ndërkaq u zotua se pas dy vitesh do të rritet numri i aeroplanëve në Prishtinë.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, theksoi se kjo linjë më së shumti do t’i shërbejë mërgimtarëve dhe për mallra, ndërsa ka inkurajuar edhe kompani të tjera të investojnë në Kosovë.

Ndërsa, Lejla Ibrahimi nga Air Prishtina ka thënë se bashkëpunimi me kompaninë ajrore Germania është që shtatë vjet dhe ky investim krijon kushte dhe shërbime të reja me një kualitet të lartë./kp