Komisioni me vërejtje për raportin e Qeverisë rreth dialogut me Serbinë

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike në mbledhjen e sotme po diskuton për dialogun me Serbinë, meqë në rend dite është shqyrtimi i raportit të Qeverisë për dialogun, i hartuar në muajin qershor.

Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani nga LDK-ja, tha se nuk ka vlerësim dhe analizë profesionale të marrëveshjeve me Serbinë. Vërejtja e saj për raportin është se ai duhet të përfshijë analizë më të detajuar të marrëveshjes Thaçi-Daçiq, të vitit 2013.

Ajo tha se ekziston nevoja të vlerësohet procesi i dialogut- sipas saj, ekzistojnë dokumente qe janë trajtuar në publik por që qeveria nuk i ka publike.

Osmani tha se qeveria duhet të kërkojë dokumentet që i mungojnë.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konkufca tha se transparenca e dialogut ka dështuar.

“Numri i raportimeve në Kuvend (5-6) dhe i numri i takimeve (40) janë në shpërputhje. Aspekti që e kemi konsideruar më të rëndësishmin që është transparenca, që sa herë të takohen me zyrtarë te Serbisë të raportojnë, kjo ka dështuar. Pasi të lexohet ky raport 40 faqe, është marrëzi te thuash që dialogu me Serbinë ka qenë i suksesshëm”, tha ai, raporton KsP.