Komisioni Hetimor kërkon sqarime nga Hekuran Murati për ndarjen e 20 milionë eurove për KEK-un

“A mund të na tregoni se cila ka qenë bindja juaj për ndarjen e 20 milionëve të para. A ka pas raport për ndarjen e këtyre mjeteve? Nëse mund të na tregoni bazën ligjore, mënyrën se si është procedu kjo ndarje e shumës?”.

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës është duke e intervistuar ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar sqarime nga ministri Murati rreth ndarjes së 20 milionë eurove nga ekzekutivi për Korporatën Energjetike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës kishte ndarë 20 milionë euro në dhjetor të vitit të kaluar për Korporatën Energjetike të Kosovës, për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike në vend. Qeveria kishte bërë të ditur se mjetet do të transferohen në KEK.

Tahiri pyeti se a ekziston ndonjë raport për ndarjen e kësaj shume për KEK-un duke kërkuar edhe bazë ligjore për një ‘ndihmë të tillë’.

“A mund të na tregoni se cila ka qenë bindja juaj për ndarjen e 20 milionëve të para. A ka pas raport për ndarjen e këtyre mjeteve? Nëse mund të na tregoni bazën ligjore, mënyrën se si është procedu kjo ndarje e shumës? Këto mjete a i keni dërgu në xhirollogarinë e korporatës”, ishin disa nga pyetjet e deputetit Tahiri.

Ndërkaq, ministri Murati tha se vendimi për ndarjen e 20 milionë eurove për KEK-un ishte i domosdoshëm që qytetarët të kenë furnizim me energji elektrike.

“Në muajin dhjetor kur ishte kriza energjetike dhe çmimet kishin shkuar lartë po ashtu kishte rënë njëri nga blloqet e termocentralit Kosova ‘B’, ka qenë një vendim i domosdoshëm për ndarjen e këtyre mjeteve për KEK. Në vazhdimësi kemi qenë në kontakt me Ministrinë e Ekonomisë ndërsa shuma prej 20 milionë euro ka qenë maksimumi që kemi mundur të ndajmë për atë vit. 20 milionë eurot e para janë shpenzuar nga KEK-u”.