Komisioni Evropian jep detaje rreth vizitës së Von der Leyen në Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nesër do të jetë në Kosovë si pjesë e një vizitë që ajo do zhvillojë në Ballkanin Perëndimor.

Shantazhi energjetik i Rusisë dhe manipulimi i tregjeve nuk po e kursen Ballkanin Perëndimor. BE-ja është e vendosur të mbështesë partnerët tanë në përballimin e çmimeve të larta të energjisë dhe përmirësimin e sigurisë së tyre energjetike në afat të gjatë.

Ky është konteksti i vizitës së Presidentes  Von der Leyen në Ballkanin Perëndimor këtë javë. Presidentja sonte do të jetë në Shkup, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku do të ketë takime me presidentin Stavo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Presidentja Von der Leyen të enjten në mëngjes do të udhëtojë për në Prishtinë, në Kosovë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pasdite, Presidentja do të udhëtojë për në Tiranë, në Shqipëri, ku do të takohet me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

Të premten në mëngjes, ajo do të udhëtojë për në Sarajevë, në Bosnje dhe Hercegovinë. Aty Presidentja do të takohet me anëtarët e sapo zgjedhur të Kryesisë së vendit, si dhe me të zgjedhurit e Kuvendit Parlamentar dhe përfaqësues të përzgjedhur të shoqërisë.

Pasdite presidentja Von der Leyen do të udhëtojë për në Beograd, në Serbi, ku do të takohet me Presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

Ajo së bashku me presidentin Vuçiq do të vizitojë edhe Interkoneksionin e Gazit Serbi-Bullgari në fshatin Jelasnicë.

Së fundi, presidentja të shtunën do të jetë në Podgoricë të Malit të Zi, ku do të takohet me presidentin Milo Gjukanoviq dhe kryeministrin Dritan Abazoviq. Ajo do të vizitojë projektin “Korridori Elektrik Trans-Ballkanik: Seksioni i Rrjetit në Mal të Zi”.