Komisioneri BE-së Didier Reynders ndodhej në Kiev gjatë shpërthimeve

Komisioneri i Drejtësisë së BE-së Didier Reynders së bashku me ekipin e tij janë “bllokuar” në Kiev. Sulmet ruse në Kiev dhe shpërthimet e forta, kanë detyruar Reynders dhe ekipin e tij të zhvendosen me shpejtësi në bodrumin e hotelit, për të pritur aty deri në qetësimin e situatës.

“Një seri shpërthimesh në qendër të qytetit Kiev këtë mëngjes. Falë reagimit të shpejtë të personelit të sigurisë, unë dhe ekipi im u zhvendosëm me shpejtësi në bodrumin e hotelit. Jemi të sigurt dhe presim evoluimin e situatës. Në Borodyanka, me Prokurorin e Përgjithshëm Andriy Kostin dhe kryetarin e qytetit, unë dëshmova shkatërrimin e tmerrshëm të shkaktuar nga ushtria ruse kundër civilëve në periferi të Kiev”, shkruan Reynders në rrjetin social Twitter.

Një sërë shpërthimesh kanë ndodhur gjatë mesnatës në Kiev, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra persona. Shpërthimet vijnë dy ditë pas dëmtimit të Urës që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar, për të cilën Vladimir Putin akuzon shërbimet e inteligjencës ukrainase për atë që ai e quajti një akt terrorizmi./rtsh