Kombëtarja e Kosovës ka arritur në Shkup

Kombëtarja e Kosovës ka arritur në Shkup dhe është akomoduar në “Park Hotel&Spa”, në afërsi të stadiumit “Tose Proeski”, ku të enjten në mbrëmje në orën 20:45 do ta zhvillojë ndeshjen gjysmëfinale të “play-off”-it për kualifikim në Kampionatin Evropian kundër Maqedonisë së Veriut.

Sot në orën 18:00, Dardanët do ta zhvillojnë seancën e fundit stërvitore para kësaj përballje, derisa paraprakisht në orën 17:30 do të mbahet konferenca për media.

Në konferencën për media para ndeshjes, trajneri i Maqedonisë së Veriut Igor Angelovski ka bërë thirrje për kujdes dhe respekt për ekipin e Kosovës duke i konsideruar ata si një skuadër me shumë kualitete brenda saj.